Dua Lipa dhe aktori britanik Callum Turner kanë bërë paraqitjen e tyre të parë publike si çift i martuar në premierën e filmit “One Night Only”, e cila u mbajt mbrëmjen e së hënës në Nju Jork.
Kjo paraqitje vjen pas përfundimit të edicionit të fundit të “Sunny Hill Festival” në Prishtinë, një ngjarje e suksesshme që u mbajt për tri netë me yje botërorë dhe dhjetëra mijëra pjesëmarrës. Gjatë festivalit, shumë fansa e vënë re mungesën e Turner, që ndryshe nga viti i kaluar, këtë herë ishte mijëra kilometra larg në Shtetet e Bashkuara.
Arsyeja e mungesës së tij lidhet me angazhimet profesionale në Nju Jork, ku ai po promovonte komedinë romantike “One Night Only”, në të cilën luan rolin kryesor përkrah aktores Monica Barbaro. Pas përfundimit të angazhimeve në Prishtinë, Dua Lipa udhëtoi menjëherë për t’u ribashkuar me bashkëshortin e saj në këtë mbrëmje të rëndësishme.
Çifti, të cilët kurorëzuan dashurinë më 6 qershor në një ceremoni në Siçili, shkëlqeu para fotografëve në “SVA Theater”. Dua Lipa tërhoqi vëmendjen me një fustan elegant nga Ferragamo, të stiluar nga Lorenzo Posocco, ndërsa Turner shfaqi një kostum elegant nga Louis Vuitton.
Filmi “One Night Only”, me regji të Will Gluck, do të nisë shfaqjen në kinema më 7 gusht.



















You must be logged in to post a comment Login