Ngërçi politik dhe moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës ishin në qendër të diskutimeve sot në emisionin “Kosova Today”.
Gazetari Gazmend Morina theksoi se ambicia e Albin Kurtit është të ushtrojë kontroll mbi të gjitha institucionet. Ai shprehu mendimin se, edhe pse mund të ketë qëllime politike, forma e zgjedhur nga Kurti për të arritur këtë, është e gabuar. “Qytetarët nuk e japin votën për presidentin, dhe tani ai po kërkon ose presidencën ose një cikël të ri zgjedhor të pafund,” shtoi Morina.
Gazetari i Klan Kosovës, Ardian Gaxherri, bëri një vlerësim të situatës pas një periudhe të gjatë bllokade, duke thënë se ata që punojnë në institucione kanë humbur ndjeshmërinë ndaj shtetit. “Besimin po e humbasim pasi është një vit e gjysmë pa një qeveri funksionale. Nuk kemi as ku të ankohesh, nuk ka kush të merret me problemet tua,” u shpreh Gaxherri.
Analisti Sali Rexhaj e karakterizoi situatën si një tentativë për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Ai theksoi se aktualisht nuk kemi institucione qendrore dhe se, nëse shohim përmes prizmit kushtetues, sot nuk kemi president, pasi ajo ka betuar vetëm si deputete. “Albin Kurti, në përputhje me një vendim të Gjykatës Supreme, nuk është kryeministër, ai është vetëm deputet,” sqaroi Rexhaj.
Ndërsa analisti Arton Muhaxheri theksoi se Kosova ka dalë nga binarët kushtetues dhe se deputetët e Partisë Vetëvendosje kanë shkelur Kushtetutën. “Kjo situatë po ndodh me një skenar të parapërgatitur,” theksoi ai, duke shpjeguar hapat e Kurtit një nga një.



















You must be logged in to post a comment Login