Transparenca e institucioneve publike duhet të fillojë që në momentin e krijimit të vendimeve dhe dokumenteve, dhe jo vetëm kur një gazetar apo qytetar dërgon kërkesë për qasje në to. Informacionet dhe dokumentet e publikuara duhet të jenë të disponueshme në ueb-faqet zyrtare të këtyre institucioneve.
Megjithatë, disa institucione publike në Kosovë vazhdojnë të hasin probleme me ueb-faqet e tyre që prej disa muajsh. Ndër to janë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Agjencia Qendrore e Prokurimit. Po ashtu, Organi Shqyrtues i Prokurimit përballet me vështirësi në qasjen në dokumente të vjetra.
Agjencia Qendrore e Prokurimit ka deklaruar për KIKS Kosova se ueb-faqja e vjetër është ndalur për arsye teknike nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit, dhe se aktualisht është duke u punuar për krijimin e një faqes së re. Aktivitetet e prokurimit, megjithatë, janë ende të publikuara përmes platformës E-Prokurimi.
Problemet teknike vazhdojnë edhe në OSHP, që ka pranuar se ka vështirësi me ueb-faqen e saj dhe aktualisht funksionon pa ndihmën e një zyrtari të teknologjisë informative. Sipas Demokraci Plus, vështirësitë me faqen e OSHP-së kanë filluar në dhjetor të vitit 2025, dhe dokumentet më të vjetra se gjashtë muaj shpesh mbeten të paqasshme.
Mungesa e dokumenteve online i detyron gazetarët dhe organizatat monitoruese të kërkojnë informacionin veçmas nga institucionet. Procesi i marrjes së përgjigjeve përmes kanaleve zyrtare gjithashtu ka shpërthyer në probleme.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, thekson se transparenca institucionale ka rënë, dhe shumë ministri nuk kanë zëdhënës të disponueshëm për gazetarët. Gazetarja Qendresa Bellagoshi shton se mediat shpesh janë të detyruara të ndjekin agjendën e politikanëve dhe t’i drejtohen fizikisht atyre për pyetje që nuk kanë marrë përgjigje përmes rrugëve zyrtare.
Problemet me qasjen në informacion shihen edhe në rritjen e numrit të ankesave. Të dhënat nga Agjencia për Informim dhe Privatësi tregojnë se numri i ankesave është rritur nga rreth 145 në gjashtëmujorin e vitit 2021 në rreth 1,000. Vetëm këtë vit janë regjistruar 497 ankesa, krahasuar me rreth 420 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Komisionerja Krenare Sogojeva Dermaku shpreh shqetësimin për mospërmbushjen e obligimeve ligjore për qasje proaktive në publikimin e dokumenteve nga ana e institucioneve, pa u kërkuar ato nga qytetarët apo gazetarët.
Për më tepër, Agjencia përballet me mungesë stafi. Aktualisht, vetëm dy zyrtarë janë angazhuar drejtpërdrejt në shqyrtimin e ankesave, ndërsa për shkak të situatës, janë angazhuar përkohësisht edhe zyrtarë nga drejtoritë e tjera.



















You must be logged in to post a comment Login