Në emisionin e radhës të MAT, Murat Dërnjani tregon për herë të parë në detaje udhëtimin e tij drejt Sirisë më 2013. Ai ndan motivin që e shtyu të largohej nga Gjermania dhe procesin e hyrjes në një zonë lufte.
Dërnjani shprehet se vendimi për të udhëtuar drejt Sirisë erdhi pas një periudhe të gjatë, gjatë së cilës pa pamjet e luftës dhe bombardimeve ndaj civilëve. “Vendosa me shku me ju ndihmu popullatës siriane”, tregon ai.
Ai pranon se në atë kohë nuk e njihte terrenin dhe nuk kishte një plan të qartë për destinacionin e tij. Një pyetje e një ndjeksësit i shkakton një përgjigje të sinqertë: “A e ke ditë ku po shkon?” Dërnjani tregon se përgjigjja e tij ishte: “Jo, nuk e kam ditë.” Ai kishte vetëm një ide të përgjithshme, të formuar nga pamjet televizive.
“Veç nga pamja e televizionit. Kam me hy mrenda, kam me u vra edhe kaq”, thekson Dërnjani. Ai shpjegon se fillimisht udhëtoi nga Gjermania në Turqi me disa shokë. Në kufirin turko-sirian, ushtarët turq i morën pasaportën e Kosovës dhe e pyetën për arsye të udhëtimit.
“Ju kam thanë jam ardhë me ju ndihmu”, rrëfen ai. Dërnjani tregon se ushtarët turq e këshilluan të kthehej, duke i shpjeguar se situata në Siri ishte e rëndë, por ai dhe shokët e tij vazhduan rrugëtimin.
Hyrja në Siri u realizua përmes një organizate humanitare, me automjete të ambulancës. Sipas tij, ai dhe pesë shokët e tij udhëtuan me një organizatë që transportonte medikamente dhe ndihma. “Kemi hypë në kerr të ambulancës dhe ato kerre kanë shku për Siri”, thotë Dërnjani.
Ai mohon akuzat për fshehje, duke thënë se automjetet kishin dokumentacion dhe ata ishin paraqitur si staf mjekësor. “Ata na kanë shkru si staf mjekësor edhe bashkërisht me ta jena hi brenda”, shpjegon ai.
Pas kalimit të kufirit, Dërnjani përballet me një realitet krejt ndryshe nga ai që kishte parë në televizor. Në zonën pranë kufirit kishte një kamp të madh refugjatësh, me mijëra njerëz dhe organizata humanitare. “Kur kom hi mrena o kanë një kaos i madh. Ke pa shumë fëmijë, shumë njerëz, shumë refugjatë, shumë organizata”, përfundon ai.
Ky udhëtim shënon fillimin e një qëndrimi prej afërsisht pesë vitesh në Siri, që më vonë çoi Dërnjanin në vijën e frontit dhe, pas kthimit në Kosovë, në procese të shumta gjyqësore.



















You must be logged in to post a comment Login