Kushtet e qëndrimit dhe akomodimit në kazermën “Minatori” në Mitrovicë për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë shkaktuar shqetësime. Në redaksinë e Klankosova.tv kanë mbërritur informacione dhe fotografi që ilustrojnë situatën në këtë objekt.
Sipas një ankese të pranuar, pjesëtarët e FSK-së po përballen me kushte të papërshtatshme të akomodimit. Problemet përfshijnë higjienën e dobët, prani të mykut në dhoma, mungesën e klimës, si dhe kushte të pakënaqshme për pushim dhe fjetje.
Fotografitë e siguruara tregojnë ambiente që thuhet se janë pjesë e këtij objekti. Ankesat gjithashtu evidentojnë gjendjen e shtretërve dhe pajisjeve të përdorura nga ushtarët gjatë qëndrimit të tyre.
Një shqetësim tjetër i ngritur në ankesë ka të bëjë me cilësinë e ushqimit që u shërbehet pjesëtarëve të FSK-së. Sipas informacionit nga një lexues, ushqimi është i dobët dhe në disa raste, ushtarët janë të detyruar të blejnë ushqim me shpenzimet e tyre gjatë kujdestarisë.
Pjesëtarët që qëndrojnë në kujdestari për disa ditë gjithashtu përballen me shpenzime shtesë për nevoja bazike, duke theksuar se kushtet e qëndrimit në objekt nuk janë në nivelin e pritur.
Fotografitë e dërguara në Klankosova.tv janë realizuar rreth dy javë më parë. Redaksia ka dërguar pyetje për zëdhënësin e FSK-së, Vëllazërim Qerimi, në lidhje me pretendimet e ngritura mbi situatën e paraqitur në këto fotografi.



















You must be logged in to post a comment Login