Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

Murtaja Afrikane e Derrave po përhapet – a mund ta prekë edhe Kosovën? (VIDEO)

Murtaja Afrikane e Derrave po përhapet – a mund ta prekë edhe Kosovën? (VIDEO)

Përhapja e Murtajës Afrikane të Derrave në rajon ka ngritur shqetësime të konsiderueshme edhe në Kosovë. Sidoqoftë, deri më tani nuk është raportuar asnjë rast i konfirmuar i kësaj sëmundjeje në vend. Ekspertët dhe institucionet veterinare paralajmërojnë se rreziku për përhapje mbetet i lartë, dhe se mbrojtja e fermave është e varur kryesisht nga zbatimi i masave të biosigurisë.

Profesori i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës, Kurtesh Sherifi, shpjegon se Murtaja Afrikane e Derrave është një sëmundje virale që prek derrat e egër e ata shtëpiakë, por nuk transmetohet te njerëzit. Ai thekson se dëmet më të mëdha shkaktohen në aspektin ekonomik, pasi nëse virusi shfaqet, fermat mund të përballen me humbje të mëdha.

Sherifi sqaroi se virusi mund të përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve, si dhe përmes njerëzve, automjeteve dhe pajisjeve që lëvizin nga një fermë në tjetër. Ai nënvizon se mbrojtja më e mirë mbetet zbatimi i rreptë i masave të biosigurisë, përfshirë kufizimin e hyrjes në ferma, shmangien e kontaktit me derrat e egër dhe diagnostikimin e shpejtë të rasteve të dyshuara.

Sipas ekspertit, nuk ekziston vaksinë ose trajtim efektiv për këtë sëmundje. Në rast se virusi konfirmohet, legjislacioni veterinar parasheh asgjësimin e të gjitha kafshëve në fermën e prekur për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

Fermeri Pren Zefaj, nga ana e tij, thotë se deri tani nuk ka hasur probleme me Murtajën Afrikane të Derrave në fermën e tij, por pranon se informacionet mbi ekzistencën e saj kanë qenë të pamjaftueshme. Ai thekson se është e nevojshme që institucionet dhe shërbimet veterinare të komunikojnë më shpesh me fermerët, në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për çdo rrezik.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2025, janë importuar 2,730 derra të gjallë nga Kroacia dhe Hungaria, me një vlerë mbi 511 mijë euro. Ndërsa, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, janë importuar edhe 1,062 derra të tjerë nga Hungaria. Ekspertët vlerësojnë se importi i kafshëve nuk paraqet domosdoshmërisht rrezik, për sa kohë respektohen kontrollet veterinare dhe procedurat e sigurisë.

Për shkak të situatës epidemiologjike në rajon, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga fermerët. AUV kërkon që të zbatohen masat e biosigurisë, dezinfektimi i rregullt i fermave, kufizimi i hyrjes së personave të paautorizuar dhe raportimi i menjëhershëm i çdo rasti të dyshimtë.

Edhe pse Murtaja Afrikane e Derrave nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve, ekspertët paralajmërojnë se pasojat ekonomike mund të jenë të mëdha. Prandaj, ata vlerësojnë se bashkëpunimi mes fermerëve, veterinerëve dhe institucioneve mbetet thelbësor për të parandaluar hyrjen dhe përhapjen e virusit në Kosovë.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement