Suhareka u përball me kushte meteorologjike të pafavorshme pasditen e sotme, duke rezultuar në dëme të konsiderueshme materiale.
Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, informoi për masat që do të ndërmerren nga autoritetet lokale. Ai njoftoi se ka marrë vendim për të mbledhur nesër në mëngjes në orën 8 Bordin e Komunës për të formuar tri komisione, të cilat do të merren me vlerësimin e dëmeve në arsim, shëndetësi dhe shërbime publike.
“Pas një rrebesh të konsiderueshëm në orët e pasdites, dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha. Dy shkolla janë tërësisht të prekur nga kjo situatë, përveç një numri të madh të restoranteve dhe bizneseve familjare. Do të mundohemi të bëjmë vlerësimin e dëmeve. Kam ftuar sot kryetarin e komisionit të qeverisë, i cili ka qenë prezent me ne. Dëmet janë të mëdha dhe do të punojmë për të mbështetur çdo qytetar,” tha Muharremaj.
Ai theksoi se dëmtimet kanë prekur të gjitha fshatrat e Komunës, përfshirë qytetin. “Asnjë fshat nuk ka mbetur pa u prekur. Nesër do t’i shqyrtojmë të gjitha dëmet dhe do të fillojmë vlerësimin,” përfundoi ai.
Be the first to comment