Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi, e drejtuar nga Emrin Ibrahimovci, ka deklaruar se vendimet e disa komunave malazeze për “çnjohjen” e pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk përfaqësojnë asgjë dhe nuk kanë asnjë efekt.
Ajo ka theksuar se njësitë e vetëqeverisjes lokale nuk kanë kompetencë kushtetuese ose ligjore në fushën e politikës së jashtme. Po ashtu, ato nuk janë të autorizuara për të miratuar akte që mund të kenë ndonjë efekt sipas së drejtës ndërkombëtare.
Podgorica zyrtare ka sqaruar se politika e jashtme dhe çështjet e njohjes së shteteve janë kompetencë ekskluzive e autoriteteve shtetërore të Malit të Zi, siç parashihet në Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Ministria ka bërë thirrje për respektimin e rendit kushtetues të Malit të Zi nga të gjithë bartësit e funksioneve publike. Ajo ka theksuar se veprimet e këtyre individëve duhet të kontribuojnë në ruajtjen e imazhit të vendit dhe të shmangin tensionet e panevojshme.
“Ministria e Punëve të Jashtme pret që të gjithë bartësit e funksioneve publike të respektojnë rendin kushtetues dhe të sigurojnë që veprimet e tyre të mbështesin kredibilitetin ndërkombëtar të Malit të Zi,” theksojnë përfaqësuesit e MPJ-së.
Sipas MPJ-së, vendimet nga disa komunat mund të krijojnë një perceptim të gabuar mbi funksionimin e shtetit dhe të dëmtojnë besueshmërinë e Malit të Zi në arenën ndërkombëtare. “Këto vendime nuk mund të ndryshojnë politikën e jashtme të vendit dhe përbëjnë akte politike pa efekt juridik.”
Në lidhje me raportet mes Malit të Zi dhe Kosovës, MPJ sqaron se ka pasur marrëdhënie të mira dypalëshe dhe se Podgorica do të mbështesë Kosovën për pjesëmarrje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe rajonale.
“Falë një dialogu intensiv, Mali i Zi dhe Kosova kanë zhvilluar marrëdhënie të forta dypalëshe, bazuar në besim të ndërsjellë dhe një perspektivë të përbashkët evropiane,” përfundojnë nga MPJ e Malit të Zi.
Iniciativa kundër pavarësisë së Kosovës është nisur në maj të vitit 2026 nga Komuna e Zetës, me mbështetjen e Komunës së Plevljes.



















You must be logged in to post a comment Login