Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) njofton se ka vendosur të zgjatë për 30 ditë masën e rregullimit të përkohshëm të çmimeve maksimale për produktet e naftës në treg.
Sipas njoftimit të Ministrisë, ky hap synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimin e çmimeve të arsyeshme, veçanërisht në një periudhë kur luhatjet në tregun ndërkombëtar mund të ndikojnë në çmimet e karburanteve brenda vendit.
Me vendimin e ri, çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të llogaritet sipas çmimit mesatar të furnizimit të evidentuar nga Dogana e Kosovës, së bashku me 2 eurocentë për litër. Ndërkohë, çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë çmimi mesatar i furnizimit plus 12 eurocentë për litër.
MINTI u bën apel të gjitha subjekteve që merrem me tregtimin e produkteve të naftës për të respektuar çmimet maksimale të përcaktuara dhe për të siguruar furnizim të rregullt të tregut.
Zbatimi i këtij vendimi do të monitorohet nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
Ministria thekson se këtë masë e ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga rritjet e pajustifikuara të çmimeve, ruajtjen e konkurrencës së ndershme dhe garantimin e funksionimit normal e transparent të tregut të derivateve të naftës.
Be the first to comment