Vendimi për shpalljen “person non grata” të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, ka marrë mbështetje nga opinionistë dhe gazetarë, të cilët e kanë cilësuar si të duhur. Megjithatë, është theksuar nevoja që institucionet e Kosovës të reagojnë në mënyrë më të fuqishme, sidomos në aspektin diplomatik.
Gazetarja Ardiana Thaçi vlerësoi se ky vendim është i drejtë, por kërkoi që institucionet e Kosovës të shfrytëzojnë më mirë këtë rast për të forcuar marrëdhëniet diplomatike. Ajo theksoi se afërsia me zgjedhjet sjell sfida të veçanta dhe se Ministria e Jashtme ka vite që nuk e përdor këtë potencial në mënyrë efektive. “Dërgimi i njerëzve pa përvojë në ambasada e bën të vështirë shfrytëzimin e kësaj deklarate,” tha Thaçi në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Avokati Skender Musa gjithashtu mbështeti vendimin, duke e cilësuar atë si të nevojshëm. “Është mirë që e ka shpallë, duhej të shpallej,” u shpreh ai.
Në të njëjtin kontekst, gazetari Vehbi Kajtazi sugjeroi se shteti duhet ta përdorë këtë rast edhe në forma të tjera diplomatike dhe politike. “Shumë mirë që u shpall non-grata,” theksoi ai.
Po ashtu, opinionistja Anita Shabani e cilësoi të arsyeshëm vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. “Shpallja non-grata, për momentin, është vendim i duhur,” tha ajo.
Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar më herët se Snezhana Paunoviq është shpallur “person non grata”, duke i ndaluar përhershmërisht hyrjen dhe kalimin tranzit në Kosovë, pas deklaratave të saj që ai i cilësoi si të papranueshme dhe si cenim të sovranitetit të vendit.
Be the first to comment