Policia e Shtetit ka shpallur planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes miqësore Shqipëri-Luksemburg. Kjo ndeshje do të zhvillohet këtë të shtunë në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Për të siguruar rendin dhe sigurinë gjatë këtij eventi sportiv, do të angazhohen një numër i konsiderueshëm punonjësish të policisë. Si pjesë e këtij plani, do të kryhen kontrolle të detajuara të tifozëve para hyrjes në stadium. Këto masa kanë si qëllim parandalimin e futjes së banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve dhe lëndëve piroteknike. Po ashtu, do të kontrollohen edhe sende të tjera që mund të rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve.
Për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes, nga ora 17:00 deri në përfundim të saj do të aplikohen kufizime të përkohshme të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore. Hyrja për tifozët në stadium do të fillojë në orën 18:00.
Rrugët që do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes përfshijnë:
– Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga hoteli “Rogner” drejt sheshit “Nënë Tereza”
– Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së
– Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së
– Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së
– Rruga “Themistokli Gërmenji”, në fillim të rrugës
– Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së
– Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, për mjete të autorizuara
– Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar
– Sheshi “Willson”, ku lëvizja do të devijohet drejt rrugës “Sami Frashëri”, pak përpara përfundimit të ndeshjes
Rrugët e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e mjeteve.















You must be logged in to post a comment Login