Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka shpjeguar se mungesa e Kosovës në Samitin e fundit të NATO-s në Ankara nuk lidhet me ndonjë “përjashtim” të veçantë, por me faktin se vendi ende nuk është anëtar i Aleancës Veriatlantike. Ai sqaroi se këtë vit fokus diskutimesh nuk ishte Ballkani Perëndimor.
Në një intervistë për KosovaPress, Maqedonci theksoi se në samit ishin të pranishme 32 vende anëtare të NATO-s, ndërsa vendet partnere ftohen vetëm kur temat e diskutimeve lidhen me to. Ai përmendi se Kosova nuk ka qenë asnjëherë e ftuar të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s, dhe se ftesat për përfaqësuesit e saj kanë ardhur kryesisht për aktivitete në margjinat e këtyre ngjarjeve globale.
Maqedonci theksoi se vitin e kaluar, ish-presidentja Vjosa Osmani ishte ftuar në një aktivitet të tillë, ndërsa këtë vit ishte e ftuar ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila nuk mundi të ishte e pranishme për shkak të agjendës së saj.
“E dimë se Kosova nuk është anëtare e NATO-s, dhe 32 vende të Aleancës janë të obliguara të jenë pjesë e Samitit. Në këtë samit, Ballkani Perëndimor nuk ishte fokus i diskutimeve, çka është arsyeja pse asnjë vend tjetër jo anëtar i NATO-s nga rajoni nuk u ftuar. Pra, Kosova nuk është ftuar kurrë në Samitin e NATO-s,” deklaroi ai.
Maqedonci vuri në dukje se ka pasur negociata të vazhdueshme me Haxhiun për pjesëmarrjen e Kosovës në aktivitete të ndryshme të lidhura me NATO-n. Ai e përshkroi një aktivitet që u organizua nga Këshilli i Atlantikut, ku ftesat për diskutime ishin të kufizuara.
Duke folur për samitin e ardhshëm të NATO-s, që do të mbahet në Tiranë, Maqedonci shprehu optimizëm se Kosova do të ketë mundësi të marrë pjesë në ndonjë aktivitet.
Ai theksoi se institucionet e Kosovës po vazhdojnë angazhimin aktiv për afrimin me Aleancën, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të vazhdueshëm me vendet që nuk e njohin atë, për të eliminuar pengesat në anëtarësim.
“Samiti në Tiranë është shumë i rëndësishëm për ne, pasi kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë. Shpresoj se institucionet shqiptare do të angazhohen për të siguruar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë ngjarje,” tha Maqedonci.
Ai gjithashtu foloi për pjesëmarrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrimin ndërkombëtar “Combat Power 2026”, organizuar nga Ushtria e Kroacisë. Maqedonci shprehu kënaqësi për vlerësimin pozitiv të performancës së FSK-së nga autoritetet kroate.
Sa i përket raportimeve për largimet e ushtarëve nga FSK-ja, ai tha se situata është normale dhe se interesimi për t’u bashkuar me forcat është në rritje.
“Ne nuk e shohim shqetësuese numrin e largimeve. Kemi pasur një rritje të aplikimeve për pozita të reja në FSK,” tha Maqedonci.
Ai po ashtu sqaroi se procesi i emërimeve për pozitat drejtuese është vonuar për shkak të procedurave institucionale, por raportet e fundit nga bordi për përzgjedhjen e kandidatëve janë përfunduar dhe do të vazhdojnë me rekomandimet përkatëse për miratim.
“Po punojmë që të kemi liderët e rinj sa më shpejt të jetë e mundur, duke ndjekur procedurat e nevojshme,” përfundoi ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.



















You must be logged in to post a comment Login