Gjykata Supreme ka marrë një vendim të rëndësishëm, duke pranuar ankesat e avokatëve të të dyshuarve Afrim Derjani, Mirlind Bislimi, Sahit Shabani dhe Mufail Shabani. Të katërt ata dyshohet se kanë kryer veprat penale "Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar", "Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge" dhe "Shpëlarja e parave".
Me këtë vendim, katër të pandehurit u liruan nga masa e paraburgimit për t’u mbrojtur në liri. Arsyetimi ishte se Prokuroria nuk kishte respektuar afatin për të kërkuar vazhdimin e paraburgimit.
“Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve, ndryshohet aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti Special të datës 21.07.2026. Si rezultat, sot, më 06.08.2026, paraburgimi ndalohet dhe të pandehurit lirohen për mbrojtje në liri,” thuhet në vendimin e Supremes.
Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e paraburgimit, duke e cilësuar si të papranueshme, pasi kërkesa ishte dorëzuar në ditën e skadimit të masës. Më pas, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë më 21 korrik 2026, duke vazhduar masën e paraburgimit për dy muaj të tjerë.
Kundër vendimit të Apelit, mbrojtësit e të pandehurve patën ushtruar ankesa në Gjykatën Supreme. Avokatët e tyre, Abit Asllani, Fitim Shabani, Avni Ibrahimi dhe Admir Salihu, theksuan shkelje të rëndësishme të ligjit dhe kërkuan anulimin e aktvendimit, për t’u siguruar që të mbrojturit e tyre të lirohen menjëherë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.



















You must be logged in to post a comment Login