Një 38-vjeçar me precedent penal është arrestuar në Vlorë, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri dhe një granatë.
Arrestimi është realizuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Siguria 2”, i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Sipas informacioneve nga policia, në pranga ka rënë personi me inicialet E.H., banues në Vlorë. Ai u ndalua në flagrancë në zonën e njohur si “Kthesa e Pilurit”, në Himarë, ndërsa lëvizte me automjet.
Gjatë kontrollit të automjetit, brenda çantës së tij u gjet një armë zjarri pistoletë me krehër të mbushur dhe një granatë.
Kontrolli vazhdoi edhe në banesën e 38-vjeçarit në Vlorë, ku policia gjeti një tjetër pistoletë, krehra, municion luftarak, dy jelekë antiplumb dhe dy jelekë multifunksionalë. Të gjitha sendet e gjetura, përfshirë armët dhe jelekët, u sekuestruan si prova materiale, së bashku me automjetin dhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlorë, për veprime të mëtejshme në lidhje me akuzat për “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Mbajtjen pa të drejtë të uniformës”.
Be the first to comment