Gazetarja Qëndresë Tërshani njoftoi se punimet në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po vazhdojnë, pas rikonfirmimit të Lumir Abdixhikut në krye të partisë.
Tërshani theksoi se të gjithë delegatët, përfshirë ata që kishin votuar kundër Abdixhikut, po kthehen në Kuvend.
“Pas një periudhe pauze, ka një qetësi relative në LDK. Delegatët kanë filluar të kthehen për të vazhduar punimet e Kuvendit të jashtëzakonshëm,” shpjegoi Tërshani në një lidhje direkte për emisionin Rubikon të Klan Kosovës.
Ajo përmendi se, në momentin kur u kumtuan rezultatet, kishte duartrokitje dhe entuziazëm në mes të delegatëve. Të gjithë po kthehen, si ata që e mbështetën, ashtu edhe ata që votuan kundër qëndrimit të Abdixhikut në krye të LDK-së.
“Pauza që kaluam tani po i vjen fundi, dhe punimet do të vazhdojnë me propozime të reja. Do të merren edhe vendime të tjera, dhe në përfundim të Kuvendit, Lumir Abdixhiku, si kryetar i rikonfirmuar, do të bëjë një deklaratë për mediat,” përfundoi Tërshani.



















You must be logged in to post a comment Login