Influencerja shqiptare Blerta është rikthyer në rrjetet sociale pas një mungese prej rreth gjashtë muajsh, duke ndarë një rrëfim të ndjerë për gjendjen e saj shëndetësore.
Përmes një postimi në Instagram, Blerta shprehu se për një kohë të gjatë kishte kaluar një periudhë paqartësie rreth rikthimit në jetën publike. Ajo kishte shpresuar që momenti i rikthimit të vinte kur të ndiente se ishte mirë, por e pranon se nuk e di ende se kur do të ndodhë kjo.
“Koha për t’u lajmëruar ka ardhur. Nuk dija si do të rikthehesha këtu, por thjesht doja t’ju jepja një shenjë jete,” shkroi ajo.
Gjashtë muajt e fundit kanë qenë të mbushur me sfida dhe zhvillime që Blerta ka preferuar t’i përballë larg syve të publikut. Ajo shpjegoi se kjo periudhë ishte e fokusuar te shëndeti dhe jeta e saj, duke u përpjekur të vazhdonte përpara.
Por rikthimi i saj nuk ka sjellë lajmen e pritshëm për ndjekësit. “E vërteta është se nuk jam aspak mirë. Trupi im po më tregon se gjithçka mund të ndryshojë brenda minutash dhe orësh. Jam më e sëmurë nga sa kam dashur t’ia pranoj vetes,” tha Blerta.
Ajo kishte menduar se rikthimi do të ishte shenjë fillimi të një periudhe më të mirë, por beteja e saj vazhdon. Detaje të tjera, ajo tha, do t’i ndajë gradualisht kur të ketë forcën e nevojshme.
“Për sot, thjesht doja të thosha: Jam ende këtu. Derisa jam këtu, kam gjithmonë shpresë,” përfundoi postimin e saj.
Blerta ka bërë publike trajtimin e saj me Craniocervical Instability. Bashkëshorti i saj, Blero Syla, kishte informuar ndjekësit për trajtimin në Spanjë dhe ndërhyrjet kirurgjikale që ajo kishte kaluar, duke e shoqëruar procesin e rikuperimit me dhimbje të forta.
Rikthimi i saj pas kësaj periudhe heshtjeje sjell një mesazh të fortë; për sa kohë ajo është këtu, shpresa mbetet gjallë.



















You must be logged in to post a comment Login