Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes. Ai e uroi Lopesin për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses në ushtrimin e mandatit.
Gjatë takimit, Kurti shprehu falënderime ndaj EULEX-it për kontributin e tij të vazhdueshëm në Kosovë. Ai theksoi veçanërisht rëndësinë e monitorimit të sistemit të drejtësisë, si dhe mbështetjen e ofruar për forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës.
Në bisedë u diskutua gjithashtu për rëndësinë e monitorimit të performancës së institucioneve të drejtësisë. Një theks i veçantë iu vu trajtimit institucional të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Kurti rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe konstruktiv me EULEX-in gjatë mandatit të Lopes.
Be the first to comment