Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi të martën rëndësinë e procedimit të menjëhershëm drejt konstituimit të institucioneve të reja pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo deklaratë u bë gjatë një takimi me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Në këtë takim, Abdixhiku diskutoi situatën politike aktuale në Kosovë, procesin e certifikimit të rezultateve dhe nevojën për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale. Ai theksoi se respektimi i vullnetit qytetar dhe standardeve demokratike është thelbësor.
“Pas certifikimit të rezultateve, është e domosdoshme të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e institucioneve që do të shërbejnë interesin e Republikës së Kosovës,” u shpreh Abdixhiku.
Ai vlerësoi gjithashtu raportin e Riho Terras për Kosovën, i cili nënvizon rëndësinë e avancimit të reformave dhe forcimit të institucioneve demokratike si hapat e domosdoshëm për integrimin evropian të Kosovës. Sipas tij, ky raport dërgon një mesazh të qartë për nevojën e vazhdimit të reformave dhe forcimit të shtetit demokratik.
Në fund të takimit, Abdixhiku shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Parlamenti Evropian dhe Bashkimi Evropian i kanë ofruar Kosovës gjatë viteve. Ai theksoi se partneriteti me institucionet evropiane është i rëndësishëm për avancimin e proceseve demokratike dhe perspektivës evropiane të vendit.
Be the first to comment