Ish-zëdhënësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se lufta e kësaj ushtrie nuk ishte një dëshirë, por rruga e vetme për t’u shpëtuar nga politika gjenocidale e Serbisë.
Në një intervistë për RTK, ai e cilëson këtë luftë si një projekt sublim për lirinë dhe dinjitetin njerëzor.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të kujtohet ashtu siç ishte në të vërtetë: një kryengritje popullore e lindur nga një popull i shtypur dhe një projekt për lirinë e dinjitetin njerëzor,” tha Krasniqi.
Ai theksoi se “kjo nuk ishte një zgjedhje për ne, por rruga e vetme për të shpëtuar nga politika gjenocidale e Serbisë.”
Krasniqi gjithashtu shprehu dëshirën që historia të eci përpara duke e regjistruar këtë luftë si mbështetje për vlerat e qytetërimit perëndimor.
“Dua që historia ta shënojë atë si një luftë që u rreshtua përkrah vlerave më të larta të qytetërimit perëndimor dhe botës demokratike,” nënvizoi ai.
Ai e përfundoi duke thënë se kjo luftë duhet të kujtohet me krenari, sepse “pa atë sakrificë kolektive, sot nuk do të kishim as lirinë dhe as Republikën e Kosovës.”



















You must be logged in to post a comment Login