Connect with us

Hi, what are you looking for?

Lajme

KPK merr vendim për pesë prokurorët serbë, refuzon kthimin e tyre në detyrë

KPK merr vendim për pesë prokurorët serbë, refuzon kthimin e tyre në detyrë

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e tij të së hënës ka vendosur të refuzojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 anëtarëve të stafit mbështetës të komunitetit serb në Prokurorinë e Mitrovicës.

Në këtë mbledhje, KPK-ja ka dërguar emrat e pesë prokurorëve për lirim nga detyra te ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu. Njëkohësisht, është shfuqizuar vendimi për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb.

Për refuzimin e tërheqjeve, kanë votuar katër anëtarë: Dardan Vuniqi, Visar Krasniqi, Elza Bajrami-Kastrati dhe Arlinda Muqa. Nga ana tjetër, kundër këtij vendimi kanë votuar kryesuesi Arian Gashi, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe anëtari Milot Krasniqi.

Ky vendim erdhi si rezultat i propozimit të zëvendëskryesuesit të KPK-së, Dardan Vuniqi, siç raportoi Betimi për Drejtësi.

Kryesuesi Arian Gashi sugjeroi që çështja të diskutohej në takimet e ardhshme, duke theksuar nevojën për konsultim me Këshillin Gjyqësor. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përgatitjes së materialeve për këtë çështje. Propozimi i tij mori mbështetje nga Kryeprokurori Zejnullah Gashi dhe anëtari Milot Krasniqi.

Anëtarja Arlinda Muqa shprehu mendimin se kthimi i prokurorëve dhe stafit mbështetës serb mund të ndodhte vetëm nëse ata nënshtrohen procedurave të rekrutimit. Ajo propozoi që të mbështetej iniciativa e Vuniqit për refuzimin e dorëheqjeve dhe dërgimin e emrave te Presidentja për lirim nga detyra.

Po ashtu, anëtarja Elza Bajrami-Kastrati tha se nuk sheh nevojë për diskutime të mëtejshme, pasi secili kishte shprehur mendimin e tij. Ajo propozoi vazhdimin e procesit me votim.

Propozimi i Dardan Vuniqit u mbështet edhe nga anëtari Visar Krasniqi. Pas votimit, me katër vota pro, u miratua propozimi për të refuzuar tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe stafit mbështetës, si dhe për të dërguar emrat te Presidentja për lirim nga detyra. Gjithashtu, u shfuqizua vendimi për pezullimin e pagave të tyre.

Click to comment

You must be logged in to post a comment Login

Leave a Reply

Mund të ju pëlqejn

Advertisement