Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë kontribuesit kryesorë në turizmin e Shqipërisë, duke shpenzuar qindra miliona euro çdo sezon veror. Këtë e vlerëson Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), e cila ka realizuar një studim nga 28 maji deri më 28 qershor 2026, për të analizuar lëvizjet dhe shpenzimet e qytetarëve kosovarë gjatë fundjavave në Shqipëri.
Sipas këtij studimi, gjatë pesë fundjavëve të monitoruara, rreth 25 mijë qytetarë nga Kosova kanë kaluar fundjavën në Shqipëri. Këto të dhëna janë raportuar nga Monitori.al dhe Klankosova.tv.
Raporti tregon se për një qëndrim prej dy deri në tre netësh, secili qytetar shpenzon mesatarisht të paktën 300 euro. Kjo shumë përfshin akomodimin në hotele ose apartamente, ushqimin dhe pijet, karburantin, taksën rrugore, transportin, argëtimin dhe blerjet.
Kështu, sipas AKB, vetëm në një fundjavë, ekonomia shqiptare përfiton rreth 7.5 milionë euro nga vizitorët kosovarë.
AKB thekson se këto shifra e konfirmojnë Kosovën si tregun dhe partnerin më të rëndësishëm për turizmin shqiptar. Sipas organizatës, vizitorët nga Kosova kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e të ardhurave në fushat e hotelerisë, gastronomisë, transportit, tregtisë dhe sektorëve të tjerë të shërbimeve.
Be the first to comment