Profesori universitar Afrim Hoti ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me situatën aktuale të diplomacisë kosovare. Ai thekson se funksionimi i një shteti me një zyrtar të ngarkuar me punë në vend të ambasadorit është një tregues i qartë se raportet diplomatike nuk janë në nivelin e dëshiruar.
Hoti e përshkruan këtë situatë si një mesazh negativ dhe kërkon që institucionet e Kosovës të ndërmarrin hapa të nevojshëm për të përmirësuar marrëdhëniet diplomatike. Ai gjithashtu kritikon mungesën e një kontrate aktive të Kosovës me kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar këtë si një mangësi të rëndësishme në diplomaci.
“Është fatale, sepse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës funksionohet me një sistem tjetër. Nuk bëhet fjalë vetëm për komunikimin bilateral mes shteteve. Flasim për një qendër ku gravitojnë vende të ndryshme dhe secili synon të transmetojë mesazhet e veta”, shprehet Hoti.
Ai theksoi se Kosova ka mbetur përpara në angazhimin e lobimit dhe në shfrytëzimin e mekanizmave të tjerë për promovimin e interesave të saj. Sipas tij, shërbimi i jashtëm i Kosovës nuk është në nivelin e duhur, një situatë që ai e lidh me neglizhencat e brendshme.
Profesori Hoti më tej vuri në dukje se vendet e rajonit, përfshirë Serbinë, kanë bërë përparime të dukshme në këtë drejtim duke përmirësuar imazhin e tyre ndërkombëtar. “Po relativizohet e keqja ose njolla e zezë dhe, për shkak të këtyre lobeve, Kosova fatkeqësisht po mbetet adresë e fajit dhe e së keqes në rajon,” deklaroi ai.
Për të ilustruar situatën, Hoti përmendi një proverb: “Lufta e të mëdhenjve është taksirati i të vegjëlve.”



















You must be logged in to post a comment Login