Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, shprehu bindjen se procesi i konstituimit të Kuvendit po zhvillohet në përputhje me Kushtetutën. Ai theksoi se nuk beson se është shkelur ndonjëherë akti më i lartë juridik të vendit.
“Nuk mendojmë se është shkelur Kushtetuta. Ajo është interpretuar në bazë të situatave dhe proceseve që kemi kaluar që nga zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar,” deklaroi Konjufca.
Ministri i Jashtëm u ndal edhe te çështja e afatit prej 24 orësh për përfundimin e seancës konstituive, duke vënë në dukje se ekzistojnë interpretime të ndryshme nga ekspertët kushtetues. Ai theksoi se formimi i Kuvendit mund të zgjasë më shumë se një ditë, duke sugjeruar se situata aktuale nuk duhej parë si dramatike.
“Situata nuk është dramatike ashtu siç po e interpreton opozita. Kjo është pjesë e formësimit të ardhshëm konstitucional të vendit tonë,” theksoi ai përpara mediave.
Ai bëri thirrje për ata që besojnë se Kushtetuta po shkelet, që të drejtohen te gjykata kushtetuese.
Duke folur mbi nevojën për dialog politik, Konjufca nënvizoi rëndësinë e komunikimit mes partive, duke përmendur PDK-në, LDK-në dhe Aleancën. Ai vlerësoi se çdo dëm që mund të rezultojë nga situata aktuale është dukshëm më i vogël se një rikthim në zgjedhje të reja.
Ministri e krahasoi situatën e tanishme me përplasjet në seancën e kaluar, duke thënë se dëmi aktual është më i vogël se dhuna që kishte ndodhur ndaj kryeministrit dhe deputetëve.
“Mendoj se procesi i konstituimit do të zgjasë më shumë se një ditë, dhe dialogu politik duhet të vazhdojë. Çdo dëm që mund të shkaktohet është më i vogël se ajo që pamë në seancën e kaluar,” përfundoi Konjufca.
Be the first to comment