Tre persona janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Pukës pas një konflikti të ndodhur në fshatin Dedaj. Dy persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Ngjarja dyshohet se ka lindur për motive pronësie mes dy familjeve fqinje.
Sipas njoftimit të Policisë, në pranga kanë përfunduar shtetasit I.Sh, 67 vjeç, F.Sh, 36 vjeç, djali i tij, si dhe G.I, 34 vjeç. Materialet e rastit i janë referuar Prokurorisë, ndërsa po përshtaten procedurat për shtetasin P.I., 60 vjeç, dhe bashkëshorten e tij F.I., 43 vjeçe.
Nga hetimet ka rezultuar se konflikti ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur personat e përfshirë janë përplasur për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me pronësinë. Gjatë këtij përplasje, dyshohet se janë përdorur sende të forta dhe mjete prerëse.
Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar shtetasit I.Sh dhe G.I, të cilët janë transportuar për trajtim në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Sipas Policisë, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar disa sende dhe mjete, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë konfliktit. Hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes vazhdojnë.



















You must be logged in to post a comment Login