Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajnë një rol të rëndësishëm në misionin e KFOR-it në Kosovë. Këtë e konfirmoi Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, në një intervistë ekskluzive për Info Magazine në Klan Kosova.
Gjatë intervistës, Ulutash diskutoi ndikimin e procesit të optimizimit mbi praninë amerikane në KFOR. Ai theksoi se ShBA vazhdon të jetë një kontribuues kyç, i përkushtuar për të ofruar siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ulutash po ashtu foli për bashkëpunimin e ardhshëm me Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) pas përfundimit të procesit të optimizimit. Ai nënvizoi se KFOR-i ka arritur një nivel të lartë të koordinimit me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, duke e konsideruar këtë bashkëpunim thelbësor për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët.
Në lidhje me FSK-në, ai shpjegoi se mbështetja e KFOR-it është e përqendruar te mandati i saj, që është mbrojtja civile. Kjo realizohet përmes një strukture të veçantë të udhëhequr nga NATO, e njohur si Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës, i cili ndodhet në selinë e KFOR-it në kampin Film City.
Komandanti Ulutash theksoi se ky bashkëpunim do të vijojë pa ndërprerje. Ai përmendi stërvitjen e fundit të përbashkët me EULEX-in, e quajtur “Golden Sabre 2026”, që kishte si qëllim testimin e kapaciteteve për menaxhimin e krizave dhe procedurave të sigurisë, përfshirë trajtimin e mjeteve plasëse dhe atyre të rrezikshme.
Be the first to comment