Opinionisti Rrahman Paçarizi ka komentuar në emisionin “Rubikon” mbi mundësitë për formimin e koalicioneve pas zgjedhjeve. Ai ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vazhdon të mbetet opsioni i preferuar për Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas Paçarizit, procesi i krijimit të institucioneve po vonohet për shkak të papërgjegjshmërisë së partive politike ndaj votës së qytetarëve. Ai theksoi se zgjedhjet në Kosovë janë shndërruar në një lloj “sporti kombëtar”.
“Prandaj partitë politike do të vazhdojnë të jenë të papërgjegjshme ndaj votës së qytetarëve të Kosovës. Nuk besoj që qytetarët e Kosovës kanë votuar për udhëheqësit politikë që, pas zgjedhjeve, të zhagisin proceset dhe të sillen me këtë nivel papërgjegjshmërie,” tha ai.
Ai gjithashtu përmendi se synimi i Lëvizjes Vetëvendosje është arritja e një marrëveshjeje me LDK-në, por gjithashtu ka përmendur një alternativë tjetër për zgjidhjen e ngërçit politik.
“Mendoj se synimi i Vetëvendosjes vazhdon të jetë Lidhja Demokratike e Kosovës. Megjithatë, kemi edhe Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ka katër deputetë më shumë se LDK. Lëvizja Vetëvendosje, nëse bashkëpunon me PDK-në dhe disa pakica joserbe, mund të arrijë një zgjidhje,” deklaroi ai, duke shtuar se PDK nuk është e preferuara e Vetëvendosjes.
Be the first to comment