Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar listën e përgjithshme të qendrave të votimit për procesin e votimit të sotëm në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
KQZ ka caktuar një qendër votimi me kusht në çdo komunë. Në të gjithë vendin, ka gjithsej 38 qendra votimi, me një total prej 52 vendvotimesh ku lejohet votimi me kusht.
Votimi me kusht është i mundur për çdo votues në cilëndo komunë, pasi Kosova është një zonë e vetme zgjedhore. Në çdo komunë shpërndahen fletëvotime me përmbajtje të njëjtë.
KQZ ofron këtë mundësi për votuesit që kanë emrin e tyre në listën votuese, por për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin e caktuar.
Numërimi i votave me kusht do të kryhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve disa ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, pas realizimit të procedurave të parashikuara.
Brenda vendit, procesi zgjedhor do të zhvillohet në 949 qendra votimi, me gjithsej 2,550 vendvotime. Prej tyre, 911 qendra janë për votimin e zakonshëm me 2,498 vendvotime, ndërsa 38 qendra, një për çdo komunë, do të ofrojnë 52 vendvotime për votimin me kusht.















You must be logged in to post a comment Login