Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar ndaj thirrjeve për pushkatimin e Ramush Haradinajt, të cilat u dëgjuan sot në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Ramadani theksoi se personi që bëri thirrjen nuk është mërgimtar dhe e akuzoi për lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje dhe një deputet nga Lipjani.
Ai ka shprehur se ky veprim është i papranueshëm dhe kërkoi që individët që bëjnë thirrje për vrasje të komandantëve dhe zyrtarëve të sillen para drejtësisë. “Pa asnjë dilemë, ata duhet të dënohen dhe të ndëshkohen me ligj,” deklaroi Ramadani në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova.
Deputeti gjithashtu kërkoi përgjegjësi nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, dhe nga Albulena Haxhiu, duke ngritur pyetje mbi mënyrën se si ky person arriti të futet në Kuvend. Ai u shpreh: “Albulena Haxhiu dhe Avni Dehari duhet të japin llogari për këtë. Kush e lejoi atë të hyjë? Kush e ftoi?”
Ramadani shpreson që të dalin më shumë detaje mbi rastin dhe e cilësoi thirrjen për vrasje si “terrorizëm të shtetit të Kosovës.” Ai theksoi se këta individë do të përballen me pasojat ligjore, duke potenjuar se situata është përtej çdo mase të arsyeshme.



















You must be logged in to post a comment Login