Këngëtarja Albulena Ukaj ka prekur ndjekësit e saj në TikTok me një postim emocional. Ajo ka ndarë një pjesë të këngës së saj të papublikuar, e cila është një bashkëpunim me artistin e njohur Shpat Kasapi. Ky projekt, fatkeqësisht, nuk u përfundua për shkak të ndarjes së papritur të Kasapit nga jeta më 26 nëntor të vitit të kaluar.
Për të nderuar kujtimin e mikut dhe kolegut të saj, Albulena vendosi ta publikojë këtë këngë si një dhuratë për fansat. Në bashkëngjitjen e videos, ajo ka shkruar disa fjalë të prekshme që shprehin dhimbjen e saj për këtë humbje.
“Ky projekt mbeti përgjysmë, ashtu siç mbeti bosh një pjesë e zemrës sime kur ti ike. E lamë në mes me shpresën se do ta përfundonim bashkë një ditë. Sot po e publikoj për ty, për kujtimin tënd dhe për të gjithë ata që të deshën. Nuk je më këtu për ta dëgjuar, por zëri yt do të jetojë përgjithmonë. Më mungon, mik. U prehsh në paqe,” ka shkruar Albulena si dedikim.
Ky postim ka sjellë reagime të shumta nga ndjekësit, të cilët kanë vlerësuar gjestin e saj dhe kanë kujtuar me mall artistin që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare.















You must be logged in to post a comment Login