Policia e Kosovës ka sekuestruar mbi 17 kilogramë substancë narkotike, e dyshuar si marihuanë, në Kaçanik. Dy persona janë arrestuar përfshirë në veprimtari të paligjshme me narkotikë.
Sipas njoftimit nga policia, ngjarja ndodhi dje rreth orës 17:30. Hetuesit e Stacionit Policor në Kaçanik përpiqeshin të ndalonin një veturë për kontroll, por drejtuesi ia doli të shmangej ndalimit.
Megjithatë, njësi të tjera policore arritën ta lokalizojnë dhe ndalojnë veturën. Në vijim të hetimeve, hetuesit nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Ferizaj, kontrolluan rrugën ku dyshohej se kishte kaluar vetura. Atje gjetën tre thesare me substancë narkotike, e cila dyshohet se ishte hedhur nga automjeti.
Pesha totale e substancës së sekuestruar është 17 kilogramë e 834.6 gramë. Po ashtu, gjatë hetimeve janë mbledhur dëshmi të tjera relevante.
Nën dyshimin për veprën penale të “blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve,” janë arrestuar dy persona: F.K., një shtetas shqiptar i lindur në vitin 1961, dhe A.C., një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i lindur në vitin 2001.
Rasti është njoftuar prokurorit përkatës në PTh Ferizaj, dhe është vendosur që dy të dyshuarit të mbahen deri në 48 orë.
Be the first to comment