Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për një individ me inicialet F.Sh., i dyshuar për tri vepra penale. Këto vepra përfshijnë mbajtjen e paautorizuar të armës, përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm dhe kanosjen.
Sipas Prokurorisë, ngjarja e dyshuar ka ndodhur më 29 korrik 2026, në fshatin Pantinë, në Vushtrri. Tre punëtorë nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” kishin ndaluar furnizimin me ujë në pronën e të dyshuarit.
F.Sh. dyshohet se i ka kanosur këta punëtorë dhe ka qëlluar me armë me gaz në drejtim të automjetit zyrtar të kësaj kompanie. Ai gjithashtu besohet se u ka thënë punëtorëve se do t’i vriste nëse e raportonin rastin në Polici.
Sipas njoftimit nga Prokuroria, me vendim të prokurorit, i dyshuari ndodhet në ndalim që nga e shtuna, ndërsa arma me gaz i është sekuestruar.



















You must be logged in to post a comment Login