Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në një takim Nënkolonelin Denise McMahon, atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të akredituar në Kosovë.
Në fillim të takimit, Jashari e uroi McMahon për detyrën e saj si atasheu i mbrojtjes. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin shumë efektiv midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Gjatë bisedës, Jashari e informoi McMahon për arritjet e deritanishme të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ata diskutuan gjithashtu për objektivat e së ardhmes që përfshijnë zhvillimin e forcës, përqendruar te planet bilaterale për trajnimet, stërvitjet, pajisjet, si dhe aktivitete të tjera të përbashkëta. Nënkolonel McMahon e përgëzoi Gjeneral Jasharin për progresin e madh të FSK-së dhe për profesionalizmin e lartë të personelit, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar dhe forcuar bashkëpunimin ndërmjet Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në përfundim, të dy palët u dakorduan për të zhvilluar edhe më tej marrëdhëniet bilaterale, me një fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve ushtarake të FSK-së për të përmbushur misionin e saj.
Be the first to comment