Kleviol Ahmeti, i njohur si “Cllevio Serbiano”, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme (SPAK) në lidhje me procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut. Gjatë dëshmisë së tij, Ahmeti ka theksuar lidhjen që ka pasur me Haxhiun, duke thënë se ata njihen që nga fëmijëria në Lushnjë. Megjithatë, ai ka mohuar të ketë pasur kontakte gjatë viteve të fundit.
Ahmeti theksoi: “Nuk kam asnjë lidhje me të pandehurit, as familjarisht e as miqësisht. Me Laert Haxhiun kam njohje, por vitet e fundit nuk e kam takuar fare.” Ai jeton në Lushnjë, në një distancë të afërt nga shtëpia e Haxhiut, duke treguar se ata kishin luajtur bashkë futboll në vitin 2007.
I pyetur për periudhën e tij në burg, Ahmeti sqaroi se pas lirimit në vitin 2020 nuk ka patur asnjë formë komunikimi me Haxhiun. “Kam vuajtur dënimin në burgun e Fierit dhe Durrësit. Më pas nuk kam pasur asnjë kontakt me Laertin,” u shpreh ai.
Një pjesë e madhe e dëshmisë së tij u përqendrua në përplasjen me reperin Noizy. Ahmeti përshkroi fillimin e luftës së tyre përmes këngëve fyerëse, duke sqaruar se e kishte bërë këtë për të fituar famë pas daljes nga burgu.
“Rigles Rajkun e kam njohur si muzikant, ndërsa unë kam qenë i panjohur. Ky qëndrim për të fituar famë më detyroi të bëja një ‘diss’ ndaj Noizyt. Kur dola në 2020, dëshiroja të bëhesha i njohur,” tha ai.
Ai gjithashtu përshkroi vizitën e tij në Durrës për të kërkuar falje, e cila përfundoi në një sherr fizik masiv. Ahmeti kujton se sapo hoqi syzet si shenjë respekti, u sulmua. “Atë ditë doli Rigles Rajku dhe një grup prej 12 personash. Aty më rrahën rëndë,” tregoi ai.
Pas incidentit, Ahmeti përfundoi në spital për shkak të dëmtimeve të marra. Ai e përjashtoi çdo plan hakmarrjeje dhe mohoi se kishte lidhje me një shpërthim tritoli që ndodhi më vonë në lokal të Noizyt.
“Kam pësuar dëmtime dhe kam dhënë dëshmi për këtë ngjarje. Sa për shpërthimin, e mësova vetëm brenda burgut. Nuk e di kush e ka bërë,” tha ai.
Dëshmia e Cllevios konfirmoi se marrëdhëniet midis tij dhe Noizyt mbeten të tensionuara.
Be the first to comment