Në fshatin Kalludër i Vogël, në komunën e Zubin Potokut, janë zbuluar disa mbetje mortore me origjinë njerëzore, të cilat kanë tërhequr interesin e institucionit mjeko-ligjor. Këtë konfirmim e dha mjeku Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, pas një vlerësimi fillestar në terren.
Haliti shpjegoi për KosovaPress se ekipet zbarkuan në vendngjarje me një urdhër nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, me qëllim të vlerësimit të origjinës dhe interesit forenzik të mbetjeve.
“Ne jemi këtu për të vlerësuar disa pjesë kockore të gjetura në këtë komunë. Qëllimi ynë është të bëjmë një analizë se a kemi të bëjmë me mbetje mortore njerëzore dhe nëse ato kanë interes mjeko-ligjor,” tha Haliti.
Për momentin, ekipi ka siguruar vendin e ngjarjes dhe po punon për të përgatitur qasjen në terren, që është mjaft komplekse për shkak të karakteristikave malore të zonës. Haliti theksoi se do të vazhdojnë punimet në ditët e ardhshme, me fokus në sigurimin e një procesi sa më profesional për gërmimin e mbetjeve.
Kështu, ndonëse vlerësimi i mbetjeve është në fazat fillestare, ata janë konfirmuar si me origjinë njerëzore dhe me interes mjeko-ligjor.



















You must be logged in to post a comment Login