Njerëzit që përdorin shpesh mjete të inteligjencës artificiale (AI) si ChatGPT ose Gemini kanë vënë re përmirësime në disa detyra, por në të tjera duket se këto mjete po bëjnë hapa mbrapa.
Një studim i publikuar në revistën prestigjioze shkencore Nature konfirmon se kjo nuk është thjesht një përshtypje e përdoruesve. Hulumtimi tregon se modelet e inteligjencës artificiale mund të bëhen më pak efektive kur trajnohen me përmbajtje të krijuar nga modele të tjera AI.
Ky fenomen është i njohur si “kolapsi i modelit”. Studiuesit theksojnë se kur një model mëson nga përmbajta e gjeneruar artificialisht, ai gradualisht humb aftësinë për të kuptuar shpërndarjen reale të informacionit. Kjo ndikon në atë që modeli fillon të harrojë të dhëna të rralla, origjinale dhe inovative.
Si pasojë, përmbajtja bëhet më e zakonshme, më e parashikueshme dhe më pak krijuese. Problemi është bërë më i madh me rritjen e sasisë së teksteve, komenteve dhe postimeve të krijuara nga inteligjenca artificiale në internet.
Nëse kompanitë që zhvillojnë modele të reja AI përdorin këto materiale pa verifikuar origjinën e tyre, ato rrezikojnë të trajnojnë sistemet e ardhshme me përmbajtje nga vetë AI. Yarin Gal, një nga autorët e studimit nga Universiteti i Oksfordit, e krahasoi këtë fenomen me një cikël të dështuar reagimesh, duke thënë se sa më shumë që modelet ushqehen me rezultatet e veta, aq më shumë largohen nga realiteti.
Studiuesit theksojnë se modelet e inteligjencës artificiale tendencën e kanë të fokusohen te informacioni më i zakonshëm, duke injoruar të dhënat më të rralla. Kjo mund të ketë pasoja negative në kuptim të sëmundjeve të rralla, gjuhëve më pak të përdorura, ideve të reja shkencore dhe përvojave të grupeve më pak të përfaqësuara.
Eksperimentet tregojnë se cilësia e të dhënave të prodhuara nga AI mund të përkeqësohet nga një brez modelesh në tjetrin. Sipas përmbledhjes së studimit në Nature, përdorimi i pakontrolluar i përmbajtjes së krijuar nga AI në trajnimet e ardhshme mund të shkaktojë “mangësi të pakthyeshme”.
Autorët paralajmërojnë se, megjithëse inteligjenca artificiale mbetet një mjet shumë i dobishëm, zhvillimi i saj duhet të mbështetet në një sasi të konsiderueshme të dhënash të krijuara dhe të verifikuara nga njerëzit.



















You must be logged in to post a comment Login