Policia ka identifikuar autorin e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e 9 korrikut, ku humbi jetën shtetasi I. Gj., i njohur me disa emra të tjerë. Ai është shtetasi E. S., alias A. S., 40 vjeç, banues në Laç, i cili është shpallur në kërkim.
Sipas informacionit të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:10 në Kurbin. Hetimet e kryera nga ekspertët e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Kurbin kanë çuar në identifikimin e personit të dyshuar si autor të krimit.
Nga verifikimet e bëra rezulton se 40-vjeçari ka precedentë të mëparshëm penalë. Ai është dënuar me 5 vite burgim për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe ka pasur probleme edhe për armëmbajtje pa leje. Sipas të dhënave të policisë, ai është arrestuar më herët në Belgjikë për vjedhje.
Për kapjen e të dyshuarit janë angazhuar edhe shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Kontrollet në terren vijojnë.
Në paralel, grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në ngjarje.
Be the first to comment