Familjarë, miq, kolegë të medias dhe qytetarë të Vlorës i dhanë sot lamtumirën e fundit gazetarit Enrik Mehmeti. Ai humbi jetën tragjikisht në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti të ndodhur në zonën e Zvërnecit një ditë më parë.
Homazhet për gazetarin e ndjerë u zhvilluan në teatrin “Petro Marku” të qytetit të Vlorës. Pas ceremonisë, trupi i pajetë u përcoll në orën 14:00 për në banesën e fundit.
Në këtë ngjarje morën pjesë figura të rëndësishme, përfshirë kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryebashkiaken e Vlorës Bruna Mersini dhe kryebashkiakun e Himarës Vangjush Tavo, sipas informacioneve të publikuara nga A2 dhe Klankosova.tv.
Ndarja e parakohshme nga jeta e gazetarit ka shkaktuar reagime të shumta në botën e medias, e cila ka humbur një nga zërat më të njohur të gazetarisë lokale në Vlorë. Enrik Mehmeti la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët.
Ai humbi jetën në mbrëmjen e 18 korrikut, pas një aksidenti me një motomjet me katër rrota në zonën bregdetare të Zvërnecit. Për shkaqe ende të paqarta, Mehmeti humbi kontrollin e mjetit, i cili u rrokullis disa herë.
Përplasjet në pjesët metalike të motomjetit rezultuan fatale për të. Në momentin e aksidentit, ai kishte me vete një 18-vjeçar, i cili u plagos, por tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Be the first to comment