Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një takim në Tiranë me një delegacion të Komisionit për Çështjet Evropiane të Asamblesë Kombëtare të Francës, udhëhequr nga Pierre-Alexandre Anglade.
Bisedimet u fokusuan në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ecurinë e reformave dhe rëndësinë e një procesi të besueshëm e të qëndrueshëm të integrimit për vendet që aspirtojnë anëtarësimin në BE.
Gjatë takimit, Hoxha theksoi angazhimin e Shqipërisë për të vazhduar reformat dhe për të përshpejtuar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai shprehu synimin e vendit për të u bërë pjesë e BE-së brenda kësaj dekade, duke u mbështetur në një plan të qartë dhe në rezultatet e arritura deri tani.
“Me një plan të qartë, rezultate konkrete dhe ambicien për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade, Shqipëria është e vendosur të shfrytëzojë këtë dritare historike mundësie, duke kontribuar njëkohësisht në një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar,” deklaroi Hoxha.
Kryediplomati shqiptar gjithashtu vlerësoi mbështetjen e Francës për procesin e zgjerimit. Ai theksoi se angazhimi i Parisit, përfshirë bashkëpunimin në nivel parlamentar, është një element i rëndësishëm për forcimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Be the first to comment