Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që çështja e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës të dërgohet me urgjencë në Gjykatën Kushtetuese.
Hoti ka theksuar se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve përbën një shkelje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai thekson se ruajtja e kushtetutshmërisë është më e rëndësishme se çdo interes elektoral.
Ai gjithashtu ka deklaruar se çdo veprim i ndërmarrë pas këtij afati do të ishte në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Hoti ka vlerësuar se, nëse moskonstituimi i Kuvendit është i qëllimshëm dhe i motivuar nga interesa elektorale, ky problem duhet të trajtohet institucionalisht.
Në postimin e tij në Facebook, ai ka rikujtuar se Republika e Kosovës ka një ushtrues detyre të Presidentit me mandat të kontestuar pas date 6 gusht 2026. Sipas tij, pas betimit të 120 deputetëve, ish-kryetarja e Kuvendit i ka përfunduar mandati, mandati i cili e ka lejuar ushtrimin e detyrës së Presidentit.
Hoti gjithashtu theksoi se Republika e Kosovës ka një Kryeministër dhe ministra që, pas 6 gushtit 2026, nuk janë duke e ushtruar detyrën në përputhje me ligjin. Për këtë situatë, ai përmendi një aktgjykim të Gjykatës Supreme.



















You must be logged in to post a comment Login