Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë një reagim pas takimit me drejtuesit e subjekteve politike, të cilët iu përgjigjën ftesës për konsultime.
Haxhiu falënderoi të pranishmit për gatishmërinë e tyre për të gjetur një zgjidhje për situatën politike. Ajo theksoi se, pavarësisht dallimeve, dialogu është thelbësor.
Në fjalën e saj, Haxhiu shprehu se për zgjedhjen e presidentit është e nevojshme një marrëveshje më e gjerë politike. Sipas saj, palët nuk duhet ta shtyjnë këtë çështje deri në minutat e fundit.
“Për presidentin, na nevojitet një marrëveshje më e gjerë se ajo që kërkohet për formimin e institucioneve të tjera. Këtë e dimë të gjithë dhe nuk kemi as arsye, as kohë, ta shtyjmë për ditën e fundit atë për të cilën, në fund, gjithsesi duhet të ulemi dhe të merremi vesh,” tha Haxhiu në Facebook.
Ajo ritheksuan se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja dhe se të gjitha palët duhet të kontribuojnë për arritjen e një marrëveshjeje për një president konsensual.
Haxhiu kritikoi gjithashtu refuzimin apo bojkotimin e takimeve, duke theksuar se një qasje e tillë nuk ndihmon në arritjen e marrëveshjes.
“Refuzimi apo bojkoti i takimeve nuk është rrugë drejt marrëveshjes. Mospajtimi është legjitim, por shmangia e dialogut nuk zgjidh asgjë,” theksoi ajo.
Në përfundim, Haxhiu bëri thirrje për një përgjegjësi të përbashkët, dialog dhe marrëveshje politike.
“Përgjegjësia për zgjidhjen është e përbashkët, prandaj duhet përgjegjësi, dialog dhe një marrëveshje që i shërben interesit të përbashkët,” përfundoi ajo.



















You must be logged in to post a comment Login