Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur mendimet e saj në lidhje me procedurat e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke folur para vazhdimit të seancës konstituive. Ajo ka theksuar afatet kushtetuese, mundësinë e zgjedhjeve të reja, si dhe mospjesëmarrjen e partive politike në takimet për zgjedhjen e presidentit.
Haxhiu ka argumentuar se vitin e kaluar Kuvendi nuk u konstitua brenda afatit 30-ditor, duke treguar se kaluan rreth 160 ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese deri në konstituimin e tij. “Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve. Në të vërtetë, kishte kaluar diku 160 ditë,” ka shpjeguar ajo, duke saktësuar se 59 ditë ishin të përfshira në proceset gjyqësore.
Ajo shpjegoi se presidenti, ose në këtë rast ushtruesja e detyrës, ka 30 ditë nga certifikimi për të thirrur seancën konstituive. Sipas saj, deputetëve duhet t’u jepet më shumë kohë për të përgatitur konstituimin e Kuvendit. “Tash kemi vetëm një ditë përpjekje, që s’ka logjikë. Deputetët duhet të kenë kohë për të kontribuar maksimalisht,” tha Haxhiu.
Haxhiu gjithashtu nënvizoi se pas konstituimit të Kuvendit, fillon afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit. Ajo e përmendi se ka shqetësime për përpjekjet e disa palëve për të detyruar vendin në zgjedhje të parakohshme. “Citëtari na ka votuar për të gjetur marrëveshje, jo për të krijuar situata për zgjedhje,” theksoi ajo.
Haxhiu bëri thirrje për pjesëmarrjen e partive politike dhe deputetëve në seancën konstituive, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje politike. “Unë i thërras partitë politike të vijnë sot. Është e domosdoshme të takohemi për t’i dhënë fund bllokadës dhe për të arritur një zgjidhje,” tha ajo.
Në lidhje me emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, Haxhiu sqaroi se propozimi i takon Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo shtoi se ky subjekt ka ofruar pozita për opozitën si një mënyrë për të arritur konsensus dhe shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
E pyetur për ligjshmërinë e seancës së sotme, ajo u shpreh se çdo subjekt që e konteston ka mundësinë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. “Nëse dikush ka probleme, mund të kërkojë një vendim nga Gjykata,” nënvizoi Haxhiu.
Ajo gjithashtu shpjegoi arsyen e pjesëmarrjes së saj në seancë, duke thënë se ishte ftuar nga kryesuesi. Ajo kritikoi mungesën e protokollimit të nënshkrimeve të deputetëve për mbajtjen e seancës.
“Unë nuk e kuptoj pse nënshkrimet nuk janë dërguar. Nëse do ishte dashur të mbahej seanca, ishte kaq e thjeshtë të dorëzoheshin,” tha Haxhiu.
Në përfundim, ajo theksoi se është e rëndësishme që deputetët të bashkëpunojnë për të arritur një marrëveshje, duke e konsideruar këtë si mënyrën më të mirë për të adresuar dallimet dhe për të siguruar një funksionim të duhur të Kuvendit.



















You must be logged in to post a comment Login