Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka shprehur se Kosova mund të përballet me zgjedhje të reja nëse nuk arrihet një marrëveshje politike për çështjen e presidentit.
Në një postim në Facebook, Haxhiu kritikoi partitë politike për mungesën e dialogut. Ajo theksoi se tri procese zgjedhore të njëpasnjëshme, me rezultate të ngjashme, dokazojnë se pa konsensus politik, zgjidhja për situatën aktuale mbetet e paqartë.
“Tre procese të njëpasnjëshme zgjedhore janë dëshmi e qartë që pa dialog politik, sidomos për çështjen e presidentit, nuk ka avancim. Nëse gjatë dimrit e pranverës, kërkesa për të diskutuar para çdo konstituimi kishte rëndësi, tani është koha për ta zbatuar atë. Duhet të nisim nga ajo që është thelbësore dhe na çon vazhdimisht në zgjedhje: çështja e presidentit,” shkroi Haxhiu.
Ajo njoftoi se ka ftuar krerët e të gjitha subjekteve politike parlamentare për një takim për të diskutuar për një zgjidhje. Haxhiu shprehu keqardhje që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë refuzuar këtë ftesë.
“Duke u nisur nga eksperiencat e këtyre dy viteve, me vullnetin për të gjetur një konsensus politik, kam ftuar krerët e të gjitha subjekteve. Më vjen keq që PDK dhe AAK e refuzuan ftesën time. Ky refuzim është veprim i gabuar dhe tregon mungesë vullneti për të tejkaluar pozitat barrikaduese, që nuk ndihmojnë askënd, veçanërisht jo Republikën tonë,” theksoi ajo.
Haxhiu gjithashtu theksoi se zgjedhjet duhet të jenë opsioni i fundit dhe kërkoi që partitë të reflektojnë deri të martën, me shpresën për një marrëveshje politike.
“Zgjedhjet duhet të jenë opsioni i fundit, nëse jo fare opsion. Shpresoj që deri të martën të kemi reflektim e takimi të jetë i dobishëm në gjetjen e një zgjidhjeje,” përfundoi Haxhiu në postimin e saj.



















You must be logged in to post a comment Login