Ushtruesja e Detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekoruar komandantin Adem Shehi me “Urdhrin e Lirisë” në kuadër të ceremonisë për Ditën e Çlirimit.
Haxhiu theksoi se Adem Shehi, origjinarisht nga Farka e Tiranës, erdhi në Kosovë në një kohë kritike për Ushtrinë Çlirimtare. Ajo nënvizoi se ishte e nevojshme që të ishin të pranishëm njerëz që dinin ta kthenin vullnetin në rend, guximin në qëndresë dhe ta transformonin luftëtarin e ri në një ushtar të përgatitur.
Sipas fjalëve të Haxhiut, Shehi solli me vete dijen e oficerit dhe përvojën e ushtrisë, duke kuptuar rëndësinë e detyrës që kishte marrë përsipër.
Ajo përmendi se para se të angazhohej drejtpërdrejt në luftë, ai ndihmoi në organizimin dhe stërvitjen e qindra vullnetarëve dhe ushtarëve të UÇK-së. Më vonë, si komandant i Brigadës 153 “Hyzri Talla” në Zonën Operative të Llapit, ai kontribuoi në forcimin e njësive që vepruan në territorin e Llapit dhe Gollakut.
Haxhiu përmendi gjithashtu se, ashtu si shumë oficerë dhe vullnetarë nga Shqipëria, Shehi e kishte të qartë se, kur Kosova ishte në rrezik, kufiri nuk mund të ishte një arsyetim për t’u distancuar.
Në përfundim, ajo shprehu mirënjohje për shërbimin e tij, për dijen që kishte ofruar, për rrezikun e marrë mbi vete dhe për angazhimin e atyre që qëndruan pranë Kosovës në momente të vështira. “Mirënjohje komandant Adem Shehit dhe të gjithë atyre që i dhanë Kosovës dije, armë, besë dhe jetë”, ishin fjalët përfundimtare të Haxhiut.
















You must be logged in to post a comment Login