Adhurim Haxhimusa, ekspert i energjetikës që aktualisht punon në Zvicër, ka komentuar ndërtimin e një kompleksi të madh banesor nga “Shala Swiss Group” në Pejë. Ky kompleks ndodhet në rrugën “Beteja e Loxhës”, afër linjave të tensionit të lartë 110kV të KOSTT-it. Haxhimusa theksoi se pronari i ndërtimit ka konfirmuar rreziqet që shoqërojnë këtë situatë.
Në një intervistë për Kiks Kosova, ai tregoi se investitorët shpesh e shfrytëzojnë mungesën e vetëdijes qytetare. Ai u shpreh: “Nuk besoj se ka nevojë për shumë komente mbi këtë situatë. Edhe vetë pronari pranon se ‘kjo mund të jetë fatale’. Kjo reflekton mënyrën se si punojmë dhe nivelin e vetëdijes që kanë investitorët kur marrin një rrezik të tillë. Ata ndërtojnë objektin dhe më pas shfrytëzojnë mungesën e vetëdijes nga qytetarët kur e shesin atë. Shumë qytetarë nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun që paraqet ky nënstacion dhe tensioni i lartë prej 110 kilovolt.”
Haxhimusa vazhdoi të shpjegojë rreziqet e mundshme: “Çdo avari që ndodh aty, në momentin që tela të rrymës bien në kontakt, mund të jetë fatale. KOSTT ka rregullore për këtë arsye dhe nuk e ka lejuar ndërtimin aty, pasi rrezikon jetën e qytetarëve që janë afër. Në atë hapësirë mund të lejohet ndërtimi i diçkaje si një fushë futbolli, por jo një ndërtese nën ato objekte elektrike.”
Për më tepër, mund të ndiqni bisedën me të në linkun më poshtë.
Be the first to comment