Enver Hasani, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, ka kritikuar deklaratat e kryeministrit Albin Kurti në lidhje me sistemin prokurorial. Ai shprehu shqetësimin se këto deklarata bien ndesh me parimin e pavarësisë së prokurorisë.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Hasani theksoi se prokuroria në Kosovë dhe në vendet e tjera evropiane është një organ i pavarur nga pushteti. Sipas tij, kryeministri nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit.
“Deklarata e Kurtit për prokurorët në SHBA nuk është e saktë. Në Evropë, përfshirë Kosovën, prokuroria është një organ i pavarur nga ekzekutivi. Kryeministri nuk ka të drejtë të ndalojë dikë të bëhet kryeprokuror, pasi është Këshilli Prokurorial ai që e zgjedh këtë pozitë,” tha Hasani.
Ai gjithashtu theksoi se pushteti aktual ka si synim të ushtrojë kontroll mbi organin e akuzës për shkak të rasteve që po trajtohen ndaj zyrtarëve qeveritarë.
“Jam i bindur se Kurti dhe pushteti aktual e shohin si të rëndësishme kapjen e organit të akuzës, për të pasur një kryeprokuror në mbështetje të tyre dhe për të mbyllur rastet që janë në proces ndaj ministrave dhe pushtetarëve të Kurtit,” përfundoi ai.
















You must be logged in to post a comment Login