Opinionisti Dukagjin Gorani ka vlerësuar se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ndajnë ngjashmëri të mëdha politike dhe ideologjike. Sipas tij, të dyja partitë përpiqen ta mohojnë këtë fakt për shkak të historisë së tyre.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Gorani theksoi se të dyja partitë burojnë nga e njëjta logjikë politike dhe shoqërore. Ai shtoi se me kalimin e kohës, kjo ngjashmëri po bëhet gjithnjë e më evidente.
“LDK-ja dhe PDK-ja e tmerron ngjashmëria që e kanë mes vete. Përditë e më shumë, të dyja partitë e shohin se burojnë nga një logjikë e njëjtë politike e shoqërore. Megjithatë, për shkak të historive të kaluara, ato kanë frikë dhe fobi nga ngjashmëria aktuale,” u shpreh Gorani.
Ai gjithashtu vlerësoi se afërsia ndërmjet dy partive është “organike” dhe që nuk arrin të kuptojë reagimet e tyre çdo herë që opinioni publik i sheh si të afërta në aspektin programor, ideologjik dhe historik.
Sipas Goranit, përpjekjet për t’u distancuar nga njëra-tjetra nuk ndryshojnë perceptimin për ngjashmëritë e tyre. “Secili prej tyre mundohet të tregojë se nuk ka asnjë lidhje me tjetrin. Edhe mbrëmë, z. Abdixhiku u mundua të tregojë se s’kanë lidhje, veçanërisht me PDK-në. Por, siç thonë anglisht: ‘Nëse ecën si rosë, bën si rosë dhe duket si rosë, atëherë është rosë’”, përfundoi Gorani.
Be the first to comment