Një trup i dekompozuar është gjetur të enjten në një zonë malore mes Tiranës dhe Elbasanit. Dyshohet se trupi i përket Eglant Koçit, i zhdukur që prej datës 4 qershor.
Verifikimet e mëtejshme pritet të përcaktojnë nëse trupi është në të vërtetë i 34-vjeçarit, i cili dyshohet se është ekzekutuar nga Armand Shaka, pas një ndodhi rrëmbimi. Hetuesit e Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës po shqyrtojnë një sasi parash digjitale, që Koçi kishte në aparatin e tij celular, si një nga motivet kryesore të rrëmbimit.
Sipas informacioneve nga policia, Armand Shaka, 41 vjeç, është identifikuar si autor i dyshuar i rrëmbimit. Hetuesit janë duke analizuar nëse ai ka vepruar i vetëm apo me ndihmën e personave të tjerë. Nga veprimet hetimore, është gjetur motomjeti i Koçit dhe është identifikuar vendi ku ai dyshohet se është parë për herë të fundit.
Provat deri tani sugjerojnë se nga ky ambient ka dalë vetëm autori i dyshuar, që mendon se mund ta ketë transportuar Koçin me automjet. Kontrolli është bërë në vendin e supozuar të pengmarrjes dhe në zona të tjera të rrethit.
Në kuadër të hetimeve, është arrestuar edhe Enea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për “Përkrahjen e autorit të krimit,” pasi besohet se ka ndihmuar Shakën pas ngjarjes. Po ashtu, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar Eglant Koçi është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.
Be the first to comment