Bota e artit në Turqi është tronditur pas vdekjes së papritur të aktorit të njohur, Serhat Mustafa Kılıç, i cili ndërroi jetë në moshën 51-vjeçare.
Aktori, i njohur për rolet e tij në serialet “Seksenler”, “Söz” dhe “Kuruluş Osman”, u gjet pa shenja jete në banesën e tij të shtunën e kaluar, sipas raportimeve nga CNN Turk. Familjarët e tij kishin pasur vështirësi për të kontaktuar me të për rreth dy ditë. E dashura e tij, Özlem E., shqetësuar për mungesën e tij, shkoi në shtëpi dhe e gjeti të shtrirë në divanin e dhomës së ndenjës.
Ajo njoftoi menjëherë Policinë dhe ekipet mjekësore, të cilat konfirmuan vdekjen e aktorit pas mbërritjes në vendin e ngjarjes. Gjatë ekzaminimeve paraprake, u zbuluan mavijosje rreth syve, në krahë dhe këmbë, megjithatë nuk u gjetën plagë të hapura apo shenja të dhunës.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes. Pas përfundimit të autopsisë, trupi i Kılıç iu dorëzua familjes dhe u dërgua në morgun e varrezave Zincirlikuyu.
Menaxheri i tij, Tolga Çinkitaş, njoftoi se ceremonia përkujtimore do të mbahet sot, më 7 shtator, në orën 12:00, në skenën Muhsin Ertuğrul.
Be the first to comment