Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po vazhdojnë hetimet lidhur me rastin e dyshuar të krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.
Sipas këtij njoftimi, deri tani janë arrestuar tre persona, të cilët dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Prokuroria e ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione.
Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim. Gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë gjithashtu.
Prokuroria Speciale ka shpjeguar se hetimet janë duke vazhduar edhe në një lokacion të tretë. Prokurorja përgjegjëse ka qenë në vendngjarje, përkrah hetuesve të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertëve forenzikë, për të mbikëqyrur veprimet hetimore.
Për shkak të ndjeshmërisë së kësaj faze të procedurës, Prokuroria nuk mund të japë detaje të mëtejshme. Ata kanë njoftuar se informacione shtesë do të publikohen vetëm kur të jetë e mundur pa cenuar hetimin.



















You must be logged in to post a comment Login