Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka analizuar organizimin e një tubimi në Beograd dhe nisjen simbolike të pjesëmarrësve nga Graçanica. Ai vlerëson se ky event bart mesazhe politike dhe nacionaliste.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Gashi theksoi se nisja nga Graçanica sugjeron se tubimi gëzon mbështetje nga Kisha Ortodokse Serbe.
“Nisja simbolike nga Graçanica nënkupton se për këtë tubim ka mbështetje nga Kisha. Kjo ka një retorikë që i ngjan fundviteve të ’90-ta, e cila ka nxitur nacionalizmin serb dhe ka çuar në luftërat në ish-Jugosllavi. Kemi një moment ku pritet të ngrihet nacionalizmi dhe, gjithashtu, të shfrytëzohet ky tubim për forcimin e partisë në pushtet, veçanërisht të Vuçiqit,” deklaroi ai.
Gashi shtoi se, sipas raportimeve, rreth 350 qytetarë serbë janë nisur në këmbë nga Graçanica drejt Beogradit. Organizime të ngjashme priten edhe nga qytete të tjera, gjithashtu nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.
Ai theksoi se tubimi pritet të paraqesë dy mesazhe kryesore: se qeveria aktuale është e angazhuar për serbët që jetojnë jashtë Serbisë dhe të tregojë se presidenti Aleksandar Vuçiq gëzon mbështetje të gjerë.
“Ky skenar i lëvizjes në këmbë tregon se rreth 350 qytetarë serbë janë nisur nga Graçanica drejt Beogradit. Po ashtu, priten organizime të ngjashme nga qytete të tjera, ndoshta edhe me mjete motorike. Pritet që të ketë një masivitet të konsiderueshëm dhe një tubim me mesazhe të qarta,” përfundoi Gashi.



















You must be logged in to post a comment Login